Transmetuar më 20-12-2018, 15:58

Pas kërkesës së Lëvizjes Socialiste për Integrim për ndërprerjen e punimeve në projektin e Unazës së Re, Adnan Xholi, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme i ka dërguar një letër, Monika Kryemadhit.

Në letrën drejtuar Kryemadhit, prokurori Xholi shpall moskompetencën e Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me çështjen, duke ia kaluar përgjegjësinë, Prokurorisë së Tiranës.

“Çështja jo kompetencë e Prokurorisë së Përgjithshme, por kompetencë e Prokurorisë së Tiranës”, shkruhet ndër të tjera në letër.

Kujtojmë që pak ditë më parë përmes një letre Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi në një shkresë zyrtare i ka bërë thirrje Prokurores së Përgjithshme, Arta Markut, për të pezulluar punimet tek Unaza e Re.

“Kërkojmë nga ana juaj marrjen e masës së pezullimit të punimeve në të gjithë projektin e Unazës së Re deri në sqarimin përfundimtar të rrethanave të kësaj çështjeje”, shkruhej në shkresë.

Kjo kërkesë erdhi pas skandalit me tenderin e Unazës së Madhe, ndërsa LSI kërkon tashmë nga kryeprokurorja pezullimin e punimeve në të gjithë projektin e Unazës së Re deri në sqarimin  përfundimtar të rrethanave të kësaj çështjeje./b.l/noa.al/