Transmetuar më 20-12-2018, 15:12

Ndërsa seanca plenare pritet të rinisë në orën 18:00, pas disa ndërprerjeve radhazi, deputetë të Partisë Demokratike, kanë vendosur të dalin nga ngujimi.

Prej orësh edhe pse seanca u ndërpre demokratët ishin në sallë, në mbështetje të deputetit të Elbasanit, Endri Hasa, i cili u përjashtua nga Byroja e Kuvendit.

Hasa ishte protagonisti i seancës plenare, pasi goditi Kryeministrin Rama me vezë.

Nga Kuvendi ka dalë edhe vetë deputeti Hasa i cili ishte edhe shkaktari i shtyrjes së seancës në orën 18:00.

Ndërkohë mësohet se pak para nisjes së seancës plenare PD pritet të mbledhë grupin parlamentar, mbledhje e cila pritet të mbahet në orën 17:30, nga ku pritet të merret vendimi i demokratëve për seancën.

Më herët, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se Byroja vendosi përjashtim me 10 ditë për deputetin Endri Hasa, nisur nga sot.

“Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Zoti Hasa liro sallën. Kryetar i grupit nxirre deputetin përjashta. Hasa liro sallën. Zoti kryetar i grupit kontribuo për të zbatuar vendimin për të liruar sallën dhe për të mos e mbajtur peng deputeti i grupit tënd parlamentar.

Procedura do vazhdojë kur deputeti të lirojë sallën. Peng seancën nuk mund ta mbajë asnjë deputet dhe asnjë grup parlamentar. Sipas rregullores. Me sa duket s’keni ardhur për të debatuar sot. Ndërpritet seanca”, tha Ruçi./b.l/noa.al/