Transmetuar më 20-12-2018, 12:41

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagon lidhur me vendimin e Kryeministrit Edi Rama për të dëbuar ambasadorin e Iranit.

“Në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare, shpreh mbështetjen për shpalljen “non grata” dhe dëbimin e diplomatëve iranianë, me veprimtari në cenim të “statusit të diplomatit” dhe që vë në rrezik Sigurinë Kombëtare”, shprehet Basha.

Ai thotë se Partia Demokratike kërkon prej strukturave shtetërore të Sigurisë Kombëtare, përkushtim të qëndrueshëm dhe bashkëpunim të sinqertë e pa zvarritje me aleatët strategjikë si e vetmja garanci për parandalimin dhe neutralizimin e aktiviteteve te tilla ne territorin e Republikës së Shqipërisë.

Më tej nënvizon se lufta kundër terrorizmit si formë e krimit të organizuar ndërkombëtar, kompromentohet kur ngjashëm nuk zhvillohet luftë pa kompromise ndaj krimit të organizuar brenda vendit.

“Çdo bashkëjetesë shtetërore me krimin e organizuar është kompromentim i luftës ndaj terrorizmit”, thuhet në mbyllje të qëndrimit.

Shqipëria e dëboi ambasadorin e Iranit, Gholamhossein Mohammadnia, me argumentin e cenimit të sigurisë kombëtare.

Po ashtu krahas tij është dëbuar dhe shpallur “non grata” edhe një diplomat tjetër iranian, i cili punonte në ambasadë.

Vendimi për shpalljen e diplomatëve iranianë si të padëshiruar është marrë në konsultim me vendet aleate, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik. /a.y/noa.al

Dëbimi i ambasadorit të Iranit, Trump i shkruan Ramës: Faleminderit!

Shqipëria largon ambasadorin e Iranit, reagon SHBA: U tentuan sulme terroriste