Transmetuar më 20-12-2018, 11:19

Kryeministri Edi Rama reagon lidhur me goditjen me vezë nga ana e deputetit demokrat Endri Hasa, në seancën e parë të rikthimit të opozitës në Kuvend, pas bojkotit gjashtë mujor.

“Të kthyer pas një qëndrimi të gjatë rrugëve, opozitarët tanë jo vetëm duket e paskan të vështirë të përshtaten me rregullat e sjelljes jorrugore, po si duket e paskan vrarë kohën koteceve duke dhunuar pula e vjedhur vezë, kur kaluan në ilegalitet nga frika e mllefit të studentëve”, shkruan Rama.

Deputeti Hasa, hodhi një vezë drejt Kryeministrit Edi Rama teksa ky i fundit fliste në foltoren e parlamentit.

“Këtë e ke për studentët”, i tha Hasa, Kryeministrit, teksa më tej u bllokua nga Garda.

Goditja ndodhi pasi Kryeministri Edi Rama tha se 40 minutat e tij ku do të diskutohej buxheti i vitit 2019, do ia linte kryetarit të opozitës, për të cilin tha se u kthye në Parlament, me mandate të pjekura por jo të djegura.

“Askush më kollaj se sa vetë Lulzimi nuk mund t’iu tregojë shqiptarëve se pse zgjidhja e vetme, është kjo mazhorancë, ndërsa unë vetë do filloj dialogun e vështirë me studentët e Mjekësisë”, tha Rama. /a.y/noa.al

Qëlloi Ramën me vezë, përjashtohet deputeti demokrat

Deputeti që hodhi vezë ndaj Ramës s’pranon të dalë nga salla, Ruçi mbledh Byronë