Transmetuar më 19-12-2018, 21:23

Studentët kanë paralajmëruar protestën e radhës ditën e nesërme përpara Parlamentit.

Kjo është hera e dytë që ata protestojnë përpara godinës së legjislativit, teksa këmbëngulin në plotësimin e tetë kërkesave.

Për ta bërë sa më të fortë reagimin e tyre, kryetari i Partisë Demokratike ftoi edhe qytetarët që t’i bashkohen kauzës së tyre.

“Dua t’u drejtoj një thirrje qytetarëve të bashkohen nesër me studentët masivisht në protestën para Kuvendit.

E vetmja rrugë për ta sprapsur të keqen është të jemi bashkë të vendosur dhe të përballemi”, tha Lulzim Basha që ishte edhe sot te banorët e “Astirit”.

Ndërkohë, në seancë do të jetë edhe opozita pas vendimit që mori në mbledhjen me aleatët.

Sakaq për nesër, edhe opozita ka paralajmëruar një protestë të madhe para Parlamentit në mbështetje të kërkesave të studentëve.

Nuk ka detaje zyrtare për këtë protestë, por PD njoftoi në median e saj se “numri i madh i protestuesve do të rrethojë tërësisht Parlamentin dhe do të adresojë një revoltë të madhe popullore në drejtim të qeverisë, për varfërinë e madhe që ka pllakosur dhe padrejtësinë”. PD thotë se protestuesit do të dalin në mbështetje të kërkesave të studentëve, pas vendimit që mori si mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD e zhvilluar pardje, ashtu dhe mbledhja sot e Grupit Parlamentar të PD.

Partia kryesore e opozitës thotë se strategjia e tyre ka në qendër “ndezjen e protestave popullore me kërkesa të ligjshme kundër padrejtësive të këtij regjimi”. Parlamenti pritet nesër që të votojë kundër dekretit të Presidentit, i cili e ka kthyer atë për rishqyrtim me qëllim adresimin në buxhet të kërkesave të studentëve.

Duke qenë se kjo është një pikë mjaft e ndjeshme e studentëve, protestës së nesërme pritet që t’i bashkohen edhe studentët, shpreson PD.

Protesta do të jetë një nga protestat më madhështore të opozitës dhe nga protestat më të forta të saj. PD ka deklaruar se do të hyjë në Kuvend për të diskutuar dy ligje që adresohen ditën e nesërme, ligjin për buxhetin ku do të diskutohet edhe ai i buxhetit për studentët si dhe ligji për vetingun në politikë që do të diskutohet të premten.

Këto dy ligje konsiderohen si mjaft të rëndësishme për opozitën që ka deklaruar se do të pastrojë politikën nga krimi duke avancuar me ligjin e vetingut në politikë. /noa.al/