Transmetuar më 19-12-2018, 18:40

Kryeministri Edi Rama ka thumbuar kreun e PD-së Lulzim Basha pas deklaratave të tij tek Unaza ku bëri thirrje për ngritje në protesta.

“Artist ç’janë këta që ankohen pse ke zaptuar ashensorin e pallatit? Po si mund të ngjitesh e të zbresësh ti me të tjerë, kur në zbritje s’të ka dalë ende gjumi, ndërsa në ngjitje të ka marrë krejt gjumi! Ti shyqyr e bëre PD si ashensorin, jo më të lirosh ashensorin?Ta harrojnë?”, shkruan Rama.

Bashkia e Tiranës pretendon se Basha ka zaptuar ilegalisht hapësirën e përbashkët publike me qëllim që të ngjitet me ashensor personal në pallatin me shtesë të paligjshme me pamje nga liqeni artificial.

" I bëjmë thirrje Lulzim Bashës të lirojë ashensorin e pallatit ku banon- gjithashtu hapësirë e përbashkët e të gjithë banorëve të pallatit që ai ka zaptuar ilegalisht me qëllim që të ngjitet me ashensor personal në pallatin me shtesë të paligjshme me pamje nga liqeni artificial.

I bëjmë thirrje Lulit të ndalojë gjobat ndaj ndërtuesve – praktikë e njohur e mandatit Basha – pasi që prej 3 vitesh zhvilluesit e qytetit paguajnë një taksë rreth 8 herë më të lartë se ajo që paguanin gjatë mandatit Basha e nuk kanë takat të sajdisin edhe Jamarbërin, Joridën apo shokët e tjerë të partisë".

Akuzat e Bashkisë Tiranë erdhën si përgjigje ndaj denoncimit që Partia Demomkratike bëri më herët.

Ajo publikoi disa dokumenta ku pretendohet se kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe kryeministri Edi Rama kanë ndryshuar planin urbanistik, por edhe rrjedhën e lumit të Lanës, për të favorizuar ndërtimin e një kompleksi rezidencial nga ndërtuesi, Edmond Bego, i dënuar më parë për trafik droge./b.l/noa.al/