Transmetuar më 19-12-2018, 16:28
Foto ilustruese

Qeveria vendosi sot të japë shpërblim edhe për disa kategori të tjera njerëzish në nevojë.

Pak ditë pasi për pensionistët u akorduan pesë mijë lekë shpërblim për festat e fundvitit, sot u shpall edhe një tjetër vendim.

Përfituesit nga skema e ndihmës ekonomike dhe paaftësisë kompensohen financiarisht, për vitin 2018, në masën 3 000 (tre mijë) lekë, të ndarë sipas kategorive të mëposhtme:

a) Familje, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike; b) Familje, të cilat kanë në përbërje të tyre anëtarë me aftësi të kufizuara, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-së, sipas pikës 3, të nenit 7, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar; c) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar; ç) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 396 147 000 lekë dhe përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale, miratuar për vitin 2018.

Qeveria thotë se ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi që hyn në fuqi menjëherë. /noa.al/