Transmetuar më 19-12-2018, 10:52

Policia e Elbasanit ka dalë me deklaratë lidhur me vrasjen e ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ku mbeti i vrarë një punojës i shërbimit pyjor.

I arrestuari është P.Z., 27 vjeç, banues në Mlizë, Elbasan.

Arrestimi i tij u bë pasi rreth orës 23.00 të së martës, në fshatin Shelcan në një zonë të pyllëzuar është vrarë me armë gjahu shtetasi Ardi Bodurri, 36 vjeç.

Nga veprimet e para të kryera nga hetuesit, rezultoi se viktima së bashku me autorin e dyshuar dhe tre persona të tjerë kishin lidhje fisnore dhe krushqie me njëri-tjetrin.

Me një mjet tip ‘Fuoristradë’ me targa AA721EF ata kishin dalë për gjueti dhe në momentin që ka gjuajtur gjahun, P.Z., aksidentalisht ka vrarë Bodurrin.

Viktima ishte specialist i Pyjeve në Agjencinë Rajonale të Zonave të Mbrojtura dhe mjeti ‘Fuoristradë’ është në pronësi të kësaj agjencie.

Viktima ka patur dhe autorizim për vrasjen dhe marrjen e mostrave nga dhelpra e kuqe për shkak të sëmundjes së tërbimit, projekt i autorizuar nga Ministria e Bujqësisë.

Grupi hetimor ka sekuestruar dy armë gjahu dhe po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Sakaq në komisariatin e Policisë Elbasan janë shoqëruar dhe tre persona të tjerë, ku nga veprimet e kryera u bë arrestimi në flagrancë edhe i A.Z., 25 vjeç, banues në fshatin Shelsan Elbasan, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”,

36-vjeçari u qëlluar pas kokës, duke bërë që të gjejë vdekjen rrugës për në spitalin e Elbasanit.

Viktima ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Trupi i pajetë po i nënshtrohet ekspertizës, para se të përcillet për në banesën e fundit. /a.y/noa.al

Vritet gjatë natës një person në Elbasan, dyshohet se u qëllua nga shokët