Transmetuar më 19-12-2018, 09:14

U zgjodh nga revista “Time” si një prej adoleshenteve me më shumë ndikim në botë për vitin 2018. Është vetëm 15 vjeçe dhe ka bërë që të dridhen liderët botëror të mbledhur për COP24, konferenca e Kombeve të Bashkuara lidhur me ndryshimet klimatike, në Katovicë të Polonisë.

Nga foltorja, Greta Thunberg, aktivistja suedeze për ambientin, e drejtoi gishtin kundër indiferencës së të pushtetshmëve lidhur me ndryshimet klimatike në botë.

“Janë vuajtjet e shumë njerëzve që paguajnë për luksin e shumë pak të tjerëve. Në vitin 2078 do të festojë ditëlindjen time të 75-të. Nëse do kem fëmijë, ndoshta do e kalojnë atë ditë me mua. Ndoshta do më pyesin për ju. Ndoshta do të pyesin se pse nuk bëtë asgjë kur kishte ende kohë për të vepruar. Thoni se i doni fëmijët tuaj më shumë se çdo gjë tjetër, por në fakt iu vidhni të ardhmen pikërisht para syve”, u shpreh adoleshentja,

Greta shtoi se shumë persona thonë se Suedia është një vend i vogël dhe nuk ka rëndësi se çfarë bëhet atje, “Por kam mësuar se nuk je asnjëherë shumë i vogël për të bërë diferencën. Flisni vetëm për rritje ekonomike, pasi keni frikë se nuk jeni popullorë. Flisni vetëm për të shkuar përpara me të njëjtat ide të këqija që na kanë çuar në këtë gjendje, edhe kur gjëra e vetme që duhet të bëni është që të tërhiqni frenat e emergjencës. Nuk jeni mjaftueshëm të pjekur për ti thënë gjërat se si janë”.

Më tej ajo vijoi duke thënë se, “Mua nuk më intereson të jem popullore. Më intereson drejtësia klimatike dhe të shpëtojë planetin. Qytetërimi po sakrifikohet për të përfituar një numër i vogël personash të cilët duan të bëjnë para. Biosfera jonë po sakrifikohet, në mënyrë që njerëzit e pasur të vendeve si 9i imi, të jetojnë në luks”.

15-vjeçarja thotë më tej shkruan noa.al, se nëse zgjidhjet brenda sistemit janë të pamundura, atëherë duhet ndryshuar vetë sistemi.

“Ne kemi ardhur këtu për të kërkuar asistencën e liderëve botërorë. Na keni injoruar në të kaluarën dhe po na injoroni sërish. Kemi ardhur këtu për t’iu bërë me dije se ndryshim po afron, ju pëlqen apo jo. Pushteti i vërtetë ju përket njerëzve. Faleminderit”, tha në mbyllje të fjalës së saj e reja. /a.y/noa.al