Transmetuar më 18-12-2018, 23:28

Pastor Akil Pano është shprehur se brezi i tij ka dështuar për t’a bërë Shqipërinë si gjithë Europa dhe për këtë arsye u kërkoi ndjesë studentëve protestues që për 14 ditë nuk kanë reshtur deri sa pikat e propozuara nga ata të plotësohen.

Pano tha në studion e emisionit “Opinion” se në fillim nuk e kuptonte refuzimin e studentëve për të krijuar një përfaqësi studentore për t’u futur në dialog me kryeministrin e vendit, por ditën e sotme një arsye të tillë e ka kuptuar.

Më tej, ai u shpreh se pjesa më e madhe e bashkëkohësve të tij duhet të ndjehen të dështuar edhe pse kjo mund të jetë një fjalë e tepërt.

“Unë dua t’ju kërkoj të falur këtyre studentëve, pasi ne dështuam të bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Unë kam dështuar si prind. Ju lutem pranoni ndjesën time”,- tha Pastori.

Pano tregoi se i është bashkuar protestës studentore që në ditën e parë të saj para Ministrisë së Arsimit, duke theksuar se studentët nuk duhet të tërhiqen deri sa kryeministri të vendosë për plotësimin e kërkesave të tyre.