Transmetuar më 18-12-2018, 17:57

Studentët prej rreth dy javësh vazhdojnë me këmbëngulje protestat e tyre para dritares së kryeministrit Edi Rama.

Ata nuk tërhiqen nga protesta e tyre deri në plotësimin e 8 pikave të vendosura prej ditësh si kusht për qeverinë dhe kryeministrin Rama.

Deri tani nuk ka pasur një përgjigje pozitive për dialog ndaj kryeministrit, megjithëse ai ka zhvilluar dy takime me studentë e pedagogë në dy fakultete.

Nesër studentët kanë paralajmëruar sërish bojkotim të mësimit dhe nisjen e protestës në orën 10:00 tek korpusi universitar.

“Kauza në dorën e studentëve! Arsim cilësor, bashkëkohor, fuqizues, për të gjithë dhe politika arsimore transparente dhe llogaridhënëse. Nesër, datë 19 dhjetor, studentët bojkotojnë mësimin dhe takohemi të gjithë tek korpusi universitar në orën 10:00”, thuhet në njoftimin e studentëve.

Kryeministri ka rënë dakord për plotësimin e kërkesave të tyre, duke premtuar edhe më shumë por studentët nuk janë të bindur dhe nuk duan të negociojnë tek kërkesat e tyre elementare.