Transmetuar më 18-12-2018, 13:10

Pasi u mësua se opozita do i japë fund bojkotit për tu kthyer në Kuvend në seancat parlamentare të së enjtes dhe të premtes, vjen konfirmimi zyrtar.

Kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Edmond Spaho deklaroi nga Kryesia e Kuvendit se opozita do të jetë në seancën e nesërme parlamentare.

Në përfundim të Konferencës së Kryetarëve, ai tha se opozita do të jetë në seancë për të ngritur zërin e studentëve dhe për të kërkuar plotësimin e kërkesës së tyre.

Lidhur me rrëzimin në Komisionin e Ekonomisë të dekretit të Presidentit Ilir Meta, i cili riktheu për shqyrtim në Kuvend buxhetin e vitit 2019, ai tha se ky është një qëndrim me dy fytyra i mazhorancës, e cila sipas tij nuk ka ndërmend ti plotësojë kërkesat e studentëve.

Po ashtu deklaroi se PD kthehet në Kuvend për vetingun në politikë për të cilin propozoi qysh në shtator ndryshime kushtetuese, ku dhe komunikoi marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin.

Nga ana e tij kreu i grupit të LSI, Petrit Vasili tha se mazhoranca ka mundësinë që në seancën e së enjtes të heqë para nga xhepat e oligarkëve dhe të plotësojë kërkesat e studentëve. /a.y/noa.al