Transmetuar më 18-12-2018, 11:54

Kryeministri Edi Rama prej gati dy orë ka zhvilluar komunikim me një grup studentësh dhe pedagogësh të Universitetit Bujqësor, lidhur me kërkesat e tyre.

Por pavarësisht kësaj protesta e studentëve nuk ka ndalur duke bllokuar disa nga akset rrugore kyçe në kryeqytet.

Sakaq protesta ka kulmuar para Kryeministrisë ku në bulevard është shkaruar “Jo dialog”.

Po ashtu godina e Kryeministrisë është qëlluar me vezë prej të rinjve protestues.

Në fotogaleri mund të shihni pamje nga protesta para Kryeministrisë dhe bllokimi i rrugëve.

Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë ditën e sotme, Rama deklaroi se kjo është hera e parë që studentët i tremben vetes së tyre për të ballafaquar argumentet dhe opinionet dhe për të thënë gjithçka haptas.

“Palës të cilës ti i klith me megafon dhe ai të thotë të dëgjova dhe ti refuzon, atëherë ky është problemi yt. Në fund të ditës mua më duket që jeni shumë larg nga ata studentët e atij dhjetorit tjetër. Sepse ata studentët e atij dhjetorit tjetër u ngritën kundër atij regjimi që edhe mund t’u nxirrte tanket në rrugë. Kërkuan të flasin, kërkuan që regjimi të ulej në tavolinë. U ulën në tavolinë dhe fituan”, u shpreh Rama.

Ai i pyeti se si të rinjtë mendojnë se do i zgjidhin problemet, duke mos folur, ndaj tha se rrezikojnë të humbin me duart e tyre diçka që e krijuan vetë.

Rama tha se tetë kërkesat nuk janë aq të rëndësishme dhe se rëndësia e vetme, është se i ulën në bisedime, duke garantuar se ato do të plotësohen pikë pa pike.

Sipas tij, ka pika të tjera të rëndësishme, duke thënë se nga dialogu do dilet me një dokument “pakt për Universitetin”, ku do jetë një pjesë për të gjithë njësoj dhe një pjesë universitet për universitet, ku secili do të ketë pikën e vetë. Rama tha se qeveria i pranon të gjitha pikat dhe se tashmë duhet dialog për konkretizimin e tyre./a.y/noa.al

Rama: Kategoritë e studentëve që do ju hiqet tarifa, 4 dhe 5 do kenë përgjysmim me afat

Studentja e Bujqësorit: S’na thanë që do vinit, braktis mbledhjen! Rama: Po shkatërroni, atë që krijuat vetë