Transmetuar më 18-12-2018, 11:08

Buxheti i vitit 2019, i kthyer nga Presidenti Ilir Meta për rishqyrtim në Kuvend, me synim plotësimin e kërkesave të studentëve, është rrëzuar nga mazhoranca në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.

Dekreti u rrëzua me votat e shumicës, teksa opozita vijon bojkotin.

Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së komisionit, Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj deklaroi se Presidenti është mundur që të ketë një kontribut duke kthyer buxhetin.

Sipas tij, një kontribut më i madh sesa të kthehesh buxhetin, do të ishte që të kërkonte edhe ai dialog mes studentëve dhe qeverisë.

“Ne mbështesim kërkesat e studentëve i konsiderojmë legjitime në kushtet që duhen përmirësuar, uljes së tarifave, por sigurisht që qeveria është duke pritur me padurim studentët që të ulen për të dialoguar. Dekreti është kthyer pa referuar asnjë detaj, në aspektin e financimit të arsimit apo kërkesë specifike. Praktikisht e ka kthyer buxhetin në parim. Çdo refuzim ndaj dialogut është ti bësh një tradhti kauzës së studentëve”, u shpreh Ahmetaj,

Nga ana e tij kryetari i komisionit Erion Braçe, deklaroi se buxheti i arsimit është i lartë, por shtoi se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka provuar shkeljet që ndodhin në Universitetin e Tiranës.

Në këtë drejtim, kërkoi që të kontrollohet se ku shkojnë këto para. /a.y/noa.al