Transmetuar më 18-12-2018, 10:30

Pas takimit që pati pasditen e djeshme me studentët e fakultetit të Gjeologji Minierave, ditën e sotme Kryeministri Edi Rama, është ndalur në një takim me studentë e pedagogë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, takime që vijnë pas protestës dy javore të studentëve.

Një studente e ka vendosur në pozitë Kryeministrin, duke e pyetur nëse tarifat kanë ardhur në rritje çdo vit, dhe se ka thënë se është e para që do të braktisë mbledhjen, duke deklaruar se rektori nuk i ka informuar se do ishte i pranishëm kreu i qeverisë. Ajo pretendon se takimi ishte informuar se do mbahej vetëm me rektorin dhe se prania e Kryeministrit është një tentativë për të përçarë studentët.

Rama deklaroi se kjo është hera e parë që studentët i tremben vetes së tyre për të ballafaquar argumentet dhe opinionet dhe për të thënë gjithçka haptas.

“Palës të cilës ti i klith me megafon dhe ai të thotë të dëgjova dhe ti refuzon, atëherë ky është problemi yt. Në fund të ditës mua më duket që jeni shumë larg nga ata studentët e atij dhjetorit tjetër. Sepse ata studentët e atij dhjetorit tjetër u ngritën kundër atij regjimi që edhe mund t’u nxirrte tanket në rrugë. Kërkuan të flasin, kërkuan që regjimi të ulej në tavolinë. U ulën në tavolinë dhe fituan”, u shpreh Rama.

Ai i pyeti se si të rinjtë mendojnë se do i zgjidhin problemet, duke mos folur, ndaj tha se rrezikojnë të humbin me duart e tyre diçka që e krijuan vetë.

Rama tha se tetë kërkesat nuk janë aq të rëndësishme dhe se rëndësia e vetme, është se i ulën në bisedime, duke garantuar se ato do të plotësohen pikë pa pike.

Sipas tij, ka pika të tjera të rëndësishme, duke thënë se nga dialogu do dilet me një dokument "pakt për Universitetin", ku do jetë një pjesë për të gjithë njësoj dhe një pjesë universitet për universitet, ku secili do të ketë pikën e vetë. Rama tha se qeveria i pranon të gjitha pikat dhe se tashmë duhet dialog për konkretizimin e tyre. /a.y/noa.al