Transmetuar më 18-12-2018, 10:12

Studentët kanë nisur ditën e sotme protestën, e cila ka hyrë në ditën e katërmbëdhjetë të saj.

Të rinjtë kanë bllokuar disa prej akseve kryesore rrugore në kryeqytetit, ku ata të Ekonomikut dhe Gjeologji Minierave, kanë bllokuar rrethrrotullimin pranë Fakultetit Ekonomik.

Edhe studentët e fakulteteve të tjera kanë nisur marshimin-protestë duke bllokuar segmentet rrugore.

Studentët e Mjekësisë kanë bllokuar qarkullimin te kryqëzimi i nëntë katësheve.

Pas bllokimit të rrugëve për disa minuta, të rinjtë do të kulmojnë në protestë para Kryeministrisë.

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama insiston për dialog dhe pasditen e djeshme, zhvilloi një takim me studentët e Gjeologjikut, duke e cilësuar si takim të frytshëm.

Sakaq sot, kreu i qeverisë ka lajmëruar takim me studentë dhe pedagogë të Universitetit Bujqësor.

Megjithatë ende nuk ka një vendimmarrje se çfarë do të ndodhë me protestën, teksa dita e sotme pritet të jetë vendimtare për vijimin e saj.

Kërkesat e studentëve

1-Rritja e buxhetit me 5% e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve. /a.y/noa.al