Transmetuar më 17-12-2018, 18:40

Presidenti Meta ka bërë apel për reflektim sa i përket kërkesave të studentëve, të cilat sipas tij duhet të marrin vëmendjen e duhur.

“Kam besim se Kuvendi do të reflektojë për bashkëpunimin gjithëpërfshirës për të plotësuar kërkesat e studentëve”, u shpreh Presidenti Ilir Meta, i pranishëm sot në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Akademisë Shqiptare të Studimeve Politike.

Ai tha se kërkesat e tyre janë të drejta dhe legjitime.

“Nuk mund të shmang apelin e përsëritur për të reflektuar me shpejtësi, me përgjegjshmëri dhe maturi ndaj protestës së studentëve që po zhvillohet në disa qytete kryesore të vendit.

Mendoj se ka një konsensus të gjerë publik që i konsideron kërkesat e tyre si të drejta legjitime dhe të realizueshme, ndaj zëri i tyre duhet të dëgjohet nga të gjithë”.

Sakaq, kriza qeveri-presidencë duket se është rikthyer pasi kreu i shtetit çoi mbrapsht për rishqyrtim buxhetin për vitin e ardhshëm, duke marrë në konsideratë situatën me studentët dhe plotësimin e kushteve të tyre që sigurisht lidhen me ndryshime të mundshme në buxhetin e vitit 2019.

Por mësohet se dekreti do të rrëzohet nga mazhoranca në seancën e radhës plenare. /k.k/noa.al/