Transmetuar më 17-12-2018, 17:09

Studentët për të 13 ditë radhazi kanë vijuar protestën e tyre, përpara Kryeministrisë, duke kërkuar që të plotësohen 8 kërkesat e tyre. Pasditen e sotme ata kanë përshkallëzuar edhe protestën duke bllokuar disa nga rrugët kryesore në kryeqytet.

Lidhur me këtë situatë kryeministri Rama reagoi përmes një postimi në Twitter, ku pyeti me ironi studentët që sipas tij i ka mësuar kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe kreu demokrat Lulzim Basha që të bllokojnë rrugën, duke u shprehur se "çfarë borxhi i kanë qytetarët".

"A mund t’ju pyes juve që ju mësojnë Doktoresha dhe Artisti të bllokoni rrugët e qytetit e dyert e fakulteteve, ndërkohë që mbani bllokuar rrugën e Dialogut, duke iu hedhur në fyt me sharje e akuza atyre që duan Dialog: Po çfarë borxhi ju kanë juve qytetarët e studentët e tjerë?”, shkruan Rama.

Lidhur me këtë postim ka pasur edhe një reagim nga studentët të cilët janë shprehur se dialogu nuk bëhet nga Instagrami ndërsa kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre.

“Rama të plotësojë kërkesat. Nuk bëhet dialog me instastory. Dialog nuk ka dhe të gjithë studentët janë bashkë. Do bllokohen të gjitha rrugët në mënyrë paqësore. Protesta do vazhdojë kështu siç është deri në plotësimin e gjithë kërkesave tona”- shprehet një studente./b.l/noa.al/