Transmetuar më 17-12-2018, 15:03

Studentët kanë përshkallëzuar protestën e tyre dhe kanë vendosur edhe bllokimin e rrugëve kyçe në kryeqytet. Lidhur me këtë situatë, kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish përmes një postimi në Twitter.

Rama pyet me ironi ata që sipas tij i ka mësuar kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe krey demokra Lulzim Basha që të bllokojnë rrugën, duke u shprehur se "çfarë borxhi i kanë qytetarët" dhe shton:

"A mund t’ju pyes juve që ju mësojnë Doktoresha dhe Artisti të bllokoni rrugët e qytetit e dyert e fakulteteve, ndërkohë që mbani bllokuar rrugën e Dialogut, duke iu hedhur në fyt me sharje e akuza atyre që duan Dialog: Po çfarë borxhi ju kanë juve qytetarët e studentët e tjerë?”, shkruan Rama.

Ndërkohë nga ana e tyre, studentët pas disa orësh protesta para Kryeministrisë, ashtu si pak ditë më parë, janë ndarë në dy grupe, ku një pjesë vijon të jetë te Kryeministria, ndërsa të tjerë kanë marshuar drejt Zogut të Zi.

Gjithçka për të bllokuar rrethrrotullimin, i cili është një prej pikave hyrëse të kryeqytetit.

Me thirrjet “Turp, turp, turp”, të rinjtë shprehen të vendosur për të mos pranuar dialog, duke insistuar se zgjidhja e vetme, është plotësimi i 8 kërkesave të tyre.

Marshimi dhe bllokimi i Zogut të Zi, si dhe disa akseve të tjera rrugore në Tiranë, vjen si një formë përshkallëzimi e protestës prej të rinjve.

Studentët ndodhen sot në ditën e 13-të të protestës së tyre dhe pjesa më e madhe janë mbledhur para Kryeministrisë. /b.l/noa.al/