Transmetuar më 17-12-2018, 12:57

Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla, thotë se tetë pikat e parashtruara si kërkesa nga ana studentëve, nuk janë zgjidhja e thellë dhe e plotë e gjithë problemeve që ka arsimi i lartë në Shqipëri.

Ai tha se mazhoranca mbështet kërkesat e studentëve, duke nënvizuar se implementimi i ligjit të arsimit, nuk është i plotë.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Ne nuk duam që kjo protestë të mbyllet. Ne duam një proces dialogu mes qeverisë dhe studentëve do të shkojë përtej 8 pikave. Ne e konsiderojmë këtë si një moment shumë të rëndësishme të thellojmë një reformë të shumanshme të arsimit në tërësi”, u shpreh Balla.

Ai shtoi se arsyeja pse insistohet për dialog është për të përfshirë në bashkëqeverisje studentët.

“Nuk e shohim mbylljen e protestës dhe plotësimin e 8 pikave si zgjidhje që hajde ti plotësojmë dhe të ikim të hamë gjelin e detit për Vitin e Ri. Poshtë dritares pashë tre punonjës të Bashkisë së Kamzës që s’kanë pasur fatin të shkojnë në universitete. Dialogu mes qeverisë dhe studentëve është zgjidhja më e mirë”, deklaroi mes të tjerash Balla.

Sipas tij, ligji i Arsimit të Lartë është një moment historik, për ti dhënë autonominë që kërkojnë universitetet publike në vend.

Ai sqaroi se nuk do të ketë asnjë taksë për fëmijët e personave më ndihmë ekonomike dhe asnjë pagesë për ata që janë me rezultate të shkëlqyera.

Lidhur me kthimin e buxhetit të vitit 2019, nga Presidenti Ilir Meta me synim plotësimin e kërkesave të studentëve, Balla tha se “Është e paparë dhe e padëgjuar që Presidenti të kthejë buxhetin. Kjo nuk ka lidhje me studentët, edhe vetë Presidenti e di këtë gjë por unë nuk di ta shpjegoj këtë vendim”. /a.y/noa.al