Transmetuar më 17-12-2018, 12:25

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, tha se forca politike që ai drejton e mbështet protestën e studentëve me shpirt dhe me mendje, ndaj tha se nuk ka nevojë për akte protagonizmi, ndonëse Edi Rama po e përdor.

“Studentët kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave, ne do i mbështesim protestat në të gjitha format tona. Jemi shpirtërisht me ta! Bijtë e shqiptarëve janë në protestë, ligji për arsimin e lartë është jokushtetuese”, u shpreh Basha.

Sipas tij po mundohet që protesta të paraqitet si jopolitike, por deklaroi se ajo është një protestë thellësisht politike, por jo partiake.

“Ky është momenti të jeni të gjithë bashkë, pavarësisht bindjeve politike kemi thirrje që gjithë qytetarët të bashkohen me studentët”, deklaroi Basha.

Më tej ai akuzoi se me aferën e Unazës së Re do kishin rënë shumë qeveri, por tha se Edi Rama i blen të gjithë, përfshi dhe drejtuesit e mediave. /a.y/noa.al