Transmetuar më 17-12-2018, 11:49

Pas ftesës së Kryeministrit Edi Rama, për dialog me studentët protestues, ka ardhur reagimi i tyre.

Teksa janë mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, të rinjtë i kanë kërkuar kreut të qeverisë që të plotësojë tetë kërkesat e tyre si vetmja zgjidhje.

Jo vetëm kaq por ata kanë refuzuar çdo mundësi dialogu, duke paralajmëruar se do të futen në grevë urie.

“S’ka gëzime, s’kemi festa

Ky fundvit ka veç protesta!

Do marshojmë, do protestojmë

Gjersa ligjin ta rrëzojmë!

Ulni tarifat! Anuloni ligjin!”, thërrasin në kor të rinjtë.

Po ashtu ndryshe nga zakonisht ditën e sotme në protestë, u hodhën edhe tymuese.

Më herët Rama publikoi një foto nga lartë të protestës ku duke iu drejtuar të rinjve tha se, sharrat e doktoreshës dhe britmat në gjumë të Artistit, e gjymtuan si s’ka më keq protestën.

“Por unë dhe ju që s’jeni më aty, jo vetëm që s’do t’i lemë pa adresuar ato 8 pika, po do të bëjmë shumë më shumë se aq së bashku. Ditët po na ikin shpejt e festat po vijnë, prandaj mos rrini po dukuni dhe t’ia nisim punës me dialog, bashkëpunim, këmbëngulje për Universitetin”, shkruan Rama.

Studentët ndodhen sot në ditën 13-të të protestës së tyre, ku janë mbledhur para Kryeministrisë.

Por ndryshe nga ditët e fundit, ditën e sotme, shihet një prani e madhe e të rinjve, ashtu sikundër ishte lajmëruar protestë masive. /a.y/noa.al

Studentët në protestë masive, bllokohet qarkullimi në Tiranë

Rama: Sharrat e doktoreshës dhe britmat e Artistit, e gjymtuan si s’ka më keq protestën