Transmetuar më 16-12-2018, 17:13

Duke nisur nga dita e nesërme do të shpërndahen shpërblimet e pensionistëve për festat e fundvitit.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën me dije se shpërblimi do të jetë 5,000 lekë, ndërsa pensionistët mund ta tërheqin çdo ditë pas orës 14:00.

Për pensionistët që e tërheqin pensionin në zyrat postare në fshatra, shpërblimi do të paguhet sipas datave të pagesës së pensioneve, duke filluar nga data 18 dhjetor e në vazhdim.

"Duke filluar nga dita e hënë, datë 17 dhjetor 2018, do të fillojë pagesa e shpërblimit të festave të fundvitit për pensionistët, në masën 5,000 lekë. Për të realizuar në kohë dhe me korrektësi dhënien e këtij shpërblimi është realizuar një grafik në të gjitha qendrat paguese të postës. Sipas këtij grafiku, të miratuar për këtë qëllim, do të punohet me orar veprimi nga ora 7.30 deri në orën 20.00, çdo ditë, duke filluar nga data 17.12.2018", thuhet në njoftimin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Në njoftim më tej thuhet:

"Pensionistët që e tërheqin pensionin pranë bankave të nivelit të dytë, në datën e pagesës së pensionit 20.12.2018, do t’iu transferohet edhe masa e shpërblimit.Për pensionistët që e tërheqin pensionin në zyrat postare në fshatra, shpërblimi do të paguhet sipas datave të pagesës së pensioneve, duke filluar nga data 18 dhjetor e në vazhdim".

"Të gjithë ata që nuk do të mund ta tërheqin këtë shpërblim deri më 29 dhjetor, do të mund ta marrin atë bashkë me tërheqjen e pensionit në muajin Janar 2019 e në vazhdim, pasi faturat janë të gjeneruara", deklaron ISSH./a.k/noa.al/