Transmetuar më 16-12-2018, 12:01

Në një kohë kur studentët protestojnë për 12 ditë me radhë në pritje të një përgjigje për 8 pikat, vjen sërish një reagim nga kryeministri Edi Rama.

Përmes një postimi në ‘Instagram’ kreu i qeverisë ka nënvizuar edhe njëherë faktin se zgjidhja e kërkesave duhet të bëhet përmes dialogut.

“Foto nga një protestë e famshme e studentëve në SHBA, ku pasi protestuan me këmbëngulje duke kërkuar Dialog&Transparencë, studentët arritën t’i ulin në tryezë autoritetet dhe morën një marrëveshje të favorshme? “, shkruan Rama, ndërsa ka postuar edhe një foto nga një protestë në SHBA, ku shkruhet ‘Ne duam dialog dhe transparencë’.

Ndërkohë më herët studentët u shprehën të bindur se do të vazhdojnë protestat e tyre deri në plotësimin e 8 kërkesave pa dialog. Ata kanë paralajmëruar protestë masive të hënën me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve.

“Ditën e nesërme protesta do të jetë massive, do të na bashkohen edhe qytetarët. Nuk pranojmë dialog pa u plotësuar 8 kërkesat tona. Protesta jonë do të vazhdojë deri në plotësimin e tyre”, u shprehën studentët.

Ndërkohë ditën e djeshme studentët e fakultetit Ekonomik kërkuan dorëheqjen e dekanit Dhori Kule me pretendimin se nuk i ka pritur në takim për të diskutuar problematikat./b.l/noa.al/