Transmetuar më 16-12-2018, 11:22

Në ditën e 12 të protestës së tyre, studentët e universiteteve publike në vend, kanë vendosur që të çojnë kauzën e tyre deri në fund.

Ata kanë nisur të mblidhen rreth orës 10:00 para Kryeministrisë. Studentët shprehen të bindur se do vazhdojnë protestat e tyre deri në plotësimin e 8 kërkesave pa dialog. Ata kanë paralajmëruar protestë masive të hënën me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve.

“Ditën e nesërme protesta do të jetë massive, do të na bashkohen edhe qytetarët. Nuk pranojmë dialog pa u plotësuar 8 kërkesat tona. Protesta jonë do të vazhdojë deri në plotësimin e tyre”, u shprehën studentët.

Ndërkohë ditën e djeshme studentët e fakultetit Ekonomik kërkuan dorëheqjen e dekanit Dhori Kule me pretendimin se nuk i ka pritur në takim për të diskutuar problematikat.

Sakaq, kryeministri Edi Rama nëpërmjet deklaratave për mediat apo dhe postimeve në rrjetet sociale nuk lëshon pe, duke i bërë të ditur studentëve se kërkesat e tyre do të zgjidhen vetëm përmes dialogut.