Transmetuar më 16-12-2018, 09:02

Në ditën e 12 të protestës së tyre, studentët e universiteteve publike në vend, kanë vendosur që të çojnë kauzën e tyre deri në fund. Mësohet se ditën e sotme, studentët do të mblidhen në orën 10:00 para Kryeministrisë.

Studentët shprehen të bindur se do vazhdojnë protestat e tyre deri në plotësimin e 8 kërkesave pa dialog. Ata kanë paralajmëruar protestë masive të hënën me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve.

Të rinjtë vijojnë të refuzojnë dialogun me Kryeministrin Edi Rama, i cili nga ana e tij e ka propozuar si çelësin për plotësimin e kërkesave të tyre.

Herë pas here nëpërmjet rrjeteve sociale, kreu i qeverisë i fton të rinjtë për dialog duke iu thënë “Ku do e lëmë pra?”

Kërkesat e studentëve

1-Rritja e buxhetit me 5% e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve./b.l/noa.al/