Transmetuar më 15-12-2018, 11:57

Kryeministri Edi Rama reagon sërish lidhur me protestën e studentëve, e cila ndodhet në ditën e njëmbëdhjetë të saj.

Por ndërsa më parë ju drejtonte lutje për dialog, tashmë duket se është kthyer me plan tjetër ndaj protestuesve.

Duke publikuar pamje nga lartë nga protestuesit, të cilët janë mbledhur para Kryeministrisë ai thotë se një grusht njerëzish që përsërisin qorrazi avazin kundër dialogut, mbajnë peng mijëra studentë që duan dhe meritojnë jo vetëm adresimin e 8 pikave, po një transformim të thellë brenda Universitetit, përmes një pakti me Qeverinë.

Rama thotë se historia tregon për shumë raste kur dialogut i janë trembur qeveritë, por se s’ka bërë vaki kurrë që t’i tremben studentët dhe studentët sot në fakt, thotë ai, nuk i tremben dialogut, por presioneve kundër dialogut, sharjeve e fyerjeve ndaj kujtdo që kërkon dialog, të cilat porositen nga partitë përmes studentësh që i’a kanë shitur shpirtin politikës më të mbrapshtë.

“Sidoqoftë farsa e kësaj barrikade absurde kundër dialogut, s’ka për të zgjatur sa ka zgjatur. Dialogu do zhbllokohet, arsyeja do fitojë dhe së bashku ne do të hapim një kapitull të ri për Universitetin”, shprehet Rama.

Ai thotë se kjo farsë e orkestruar për të marrë peng protestën, me shpresën e devijimit të saj në revoltë politike s’mund ta mbajë edhe për shumë gjatë në këmbë “barrikadën absurde anti-dialog”. /a.y/noa.al