Transmetuar më 15-12-2018, 10:39

Në orën 11.00 të ditës së sotme, para Kryeministrisë është paralajmëruar një protestë, nëpërmjet së cilës kërkohet ulja e çmimit të naftës.

Protesta do të nisë me një marshim nga sheshi “Shqiponja” për të kulmuar para Kryeministrisë.

Protesta ka si synim mbledhjen e qytetarëve për të protestuar mbi çmimin e lartë të naftës dhe cilësinë e dobët të saj.

Kjo protestë paralajmërohet të jetë jopolitike, dhe përmes saj kundërshtohet situata thuajse monopol në tregun e naftës.

Po ashtu protesta shoqërohet me disa kërkesa zyrtare për qeverinë dhe Kuvendin, që shërbejnë si amendime për ligjet përkatëse që kanë të bëjnë me karburantet dhe nivelin e taksave dhe akcizave për to.

Këto taksa arrijnë në një çmim shtesë për karburantet në 67 lekë për litër.

Nisma propozon tre variante për uljen e nivelit të taksimit. I pari ka të bëjë me taksimin në masën 50% të çmimit të naftës në tregje. I dyti propozon një nivel akcize të barabartë me mesataren e rajonit. Ndërsa varianti i tretë propozon një taksë fikse në 46 lekë për litër.

Sakaq para Kryeministrisë prej ditës janë mbledhur në protestë edhe studentët e universiteteve publike.