Transmetuar më 15-12-2018, 10:21

Presidenti Ilir Meta u vlerësua këtë të premte me çmimin “Politikani ndërkombëtar i vitit 2018” nga Fondacioni “Foedus”.

Kreut të Shtetit shqiptar iu akordua ky çmim me motivacionin “Për promovimin dhe forcimin e marrëdhënieve dhe miqësisë mes Shqipërisë dhe Italisë”.

Në ceremoninë gala të zhvilluar në Romë, me temë “Një dhuratë për një buzëqeshje”, Presidenti i Fondacionit “Foedus”, Mario Baccini, duke i dorëzuar çmimin prestigjioz Presidentit Meta deklaroi se ky vlerësim u jepet çdo vit atyre personaliteteve italiane dhe të huaj, të cilët kanë spikatur në fushat e tyre.

Presidenti Meta duke falënderuar Fondacionin “Foedus” për vlerësimin e bërë ndaj tij u shpreh ndër të tjera se, ky çmim u shkon mijëra shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Itali.

“Ky çmim u shkon arbëreshëve tanë të dashur të cilit lidhin dy popujt tanë në mënyrë unike prej 500 vjetësh, por edhe mijëra italianëve që punojnë dhe jetojnë në Shqipëri prej vitesh. Edicioni i 18-të i Fondacionit Tuaj titullohet “Një dhuratë për një buzëqeshje” ndaj dhe unë duke ju falënderuar për vlerësimin dua T’ju kujtoj thënien e një shqiptareje të madhe, Shën Nënë Tereza, e cila ka thënë se paqja fillon me një buzëqeshje”, u shpreh Meta.

Çmimi i Fondacionit “Foedus” iu akordua gjithashtu edhe UNICEF-it, NEUROMED Italia, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë italiane, Franco Gabrielli, si dhe këngëtarit të famshëm italian Fausto Leali.