Transmetuar më 15-12-2018, 08:28

Kryeministri Edi Rama, e ka nisur këtë të shtunë me historinë e një biznesmeni shkodran i cili për vite me radhë u mbajt “peng” nga Hipoteka.

“Me këmbënguljen shembullore të Leonit nga Shkodra, që nuk u dorëzua asnjë moment duke shfrytëzuar ‘mikun’ e tij në qeverisje, portalin www.shqiperiaqeduam.al, ju uroj një fundjavë të qetë”, shkruan Rama.

Në videon e publikuar prej Kryeministrit tregohet historia e Leon Jakut, i cili ka jetuar në Australi qysh prej vitit 1999.

Jaku tregon se në vitin 2011 u kthye në Shqipëri për të vijuar biznesin e hapur në vitin 1996, por i thanë se nuk kishte leje shfrytëzimi.

“Unë e përgatita të gjithë dosjen dhe kam 8 vite që pres të marrë lejen e shfrytëzimit, kam shkuar mbi 50 herë të interesohem por justifikimet janë shumë vulgare nga ana e një personi që po shqyrton dosjen time. Madje po humb edhe kontratën me një kompani çantash lëkure ku mendohet të punësohen 170 persona dhe rreth 500 persona nga shtëpitë”, tregon Jaku.

Ai shton se pasi shkroi në platformën ‘shqiperiaqeduam.al’, brenda tre ditësh drejtori i Hipotekës i ktheu përgjigje, duke i thënë se nuk kishte asnjë problem me dokumentet, por se dosja ishte mbajtur në arkiv.

Kësisoj ai thotë se javën e parë të janarit, pritet të nisë puna në fabrikë me veshmbathje. /a.y/noa.al