Transmetuar më 14-12-2018, 18:17

Paralelisht me protestën e studentëve, në Tiranë ka nisur edhe protesta te Unaza e Re. Banorët janë vendosur në të dyja asket e rrugës pranë mbikalimit në këtë zonë, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve.

Prej rreth 2 muajsh banorët mblidhen çdo darkë për të ngritur zërin kundër këtij projektit të Unazës së Madhe, ndërsa sot kanë zbuluar se do t’i bashkohen protestës së studentëve, pas apelit të tyre për protestë mbarëkombëtare.

“E duam shqipërinë pa Edi Ramën, sepse ai është një kriminel, hajdut dhe mashtrues. Jemi me studentët, studentët janë bijtë tanë. Nesër në orën 9 të gjithë të bashkuar, të gjithë të bashkuar jemi të fituar”, tha një nga banorët gjatë protestës.

Ndërkohë më herët tudentët protestues shpallën një vendim të ri sot, pak minuta pas orës 16.00 kur edhe skadoi ultimatumi që i kishin dërguar qeverisë.

Studentët njoftuan me megafon se nga tani e tutje, protesta do të precipitojë dhe e shpallën protestë kombëtare.

“Tani ne ftojmë të gjithë popullin që t’i bashkohet protestës sonë e cila tani e tutje do të jetë protestë kombëtare”, – tha para pjesëmarrësve në protestë, një prej të rinjve.

Ai tha se për pjesën tjetër të popullit që ftohet t’i bashkohet protestës studentore, ka një kusht, që, pavarësisht se cilës bindje politike i përkasin, të jenë të pranishëm në protestë vetëm me flamurin kombëtar.

Kërkesat e studentëve

1-Rritja e buxhetit me 5% e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve. /b.l/noa.al/