Transmetuar më 14-12-2018, 13:11

Kryedemokrati Lulzim Basha reagon ndaj Kryeministrit Edi Rama, pas miratimit të opinionit përfundimtar të komisionit të Venecias, për vetingun në politikë.

“Hajduti psiqik ka 9 ditë që nuk kupton as shqipen, pale pastaj anglishten! Mirënjohje Komisionit të Venecias që hapi dritën jeshile për vetingun e politikanëve. Asgjë nuk e shpëton hajdutin psiqik nga lidhjet me krimin!”, shkruan Basha.

Ai shton se koha kur politikanët janë mbi ligjin po mbaron.

Më herët Rama ironizoi Bashën, duke thënë se “u mbyt” me manovrat e tij.

“Eh Artist, s’më vjen mirë për ty, po ti s’vë mend! Vate e u mbyt në ujin e Venecias edhe Gjojavetingu yt, një nga ato manovrat e tua në xunkth që e kanë bërë PD aq shumë joserioze në sytë e njerëzve, sa jeni hedhur në ilegalitet për të penguar dialogun mes studentëve e qeverisë”, deklaroi Rama.

Në ndryshimet e bëra nga Komisioni i Venecias saktësohet, se shtetet kanë të drejtë të kufizojnë të drejtën për tu zgjedhur.

“Në varësi të situatës politike, një kufizim për një rrethanë të caktuar, që mund të jetë i nevojshëm për një shtet, mund të mos aplikohet për një shtet tjetër”, thuhet në përfundime. /a.y/noa.al

Komisioni i Venecias, miraton përfundimet për vetingun në politikë