Transmetuar më 14-12-2018, 13:00

Kryeministri Edi Rama, reagon ndaj rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, i cili e etiketoi kreun e qeverisë si shantazhues.

Ai thotë se e mëshiron për pafytyrësinë e tij, duke e paralajmëruar se shumë shpejtë do të jetë auditor më auditor.

“Zoti Rektor i UT, unë e mëshiroj pafytyrësinë tuaj të dyfytyrtë dhe reagimin tuaj tipik për burrat rrëshqanorë! Sidoqoftë, unë shumë shpejt do të jem auditor më auditor, ku shpresoj të keni kurajon të m’i thoni në sy veshëgjatësitë e shkruara në reagimin tuaj që flet vetë për Ju”, shkruan Rama.

Rektori Mynyr koni e quan Ramën shantazhues

Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, reagoi sot lidhur me deklaratat e bëra ditën e djeshme në adresë të tij nga Kryeministri Edi Rama.

Ai thotë se i detyruar nga akuzat tepër të rënda dhe sjellja e Kryeministrit ndaj tij në takimin e ditës së enjte, datë 13 dhjetor, të mbajtur me autoritetet drejtuese të fakulteteve dhe universiteteve publike ne vend thotë se, është shumë e kuptueshme arsyeja dhe qëllimi i gjithë çfarë është bërë gjatë këtyre ditëve në adresën e tij dhe që në fakt ka filluar shumë kohë më parë.

“Këtë e kam ndjerë dhe e kam kuptuar shumë qartë. Të mundohesh të ndryshosh rrjedhën e gjërave, të mundohesh të gjesh dhe të bësh “fajtor” pa faj, nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e dështuar që tregon vetëm frikë dhe asgjë tjetër. Zoti Kryeministër,

në asnjë ditë të punës time si Rektor i Universitetit të Tiranës nuk jam “arratisur” nga përgjegjësia, por përkundrazi. Në mënyrë të vazhdueshme, kam paraqitur problematikat (që Ju vetëm tani po i pranoni se ekzistojnë) në të gjitha institucionet e Shtetit Shqiptar, përfshirë edhe Ju. Akuzat që ju bëni, tregojnë shumë qartë se Ju nuk e njihni ligjin e arsimit të lartë 80/2015”, shprehet Koni.

Ai shton se Kryeministri bën të njëjtën gjë edhe me çështjen e tarifës së provimeve të mbartuara të studentëve, për të cilën sipas tij, Senati Akademik i UT, ka deklaruar se nuk ka bërë asnjë kërkesë për vendosjen e saj.

“Në çdo rast, Ju ushtroni presion, intimidoni, ironizoni dhe shantazhoni, jo vetëm në mënyrë të drejtpërdrejtë por edhe nëpërmjet mediave që janë pranë qeverisë, duke mos i dhënë mundësinë askujt, në rastin konkret mua, të shprehem dhe të them të vërtetën se çfarë realisht po ndodh në Universitetin e Tiranës”, deklaron Koni.

Rektori thotë se është e vërtetë që në Universitetin e Tiranës, ka patur probleme të brendshme, të inskenuara nga kasta drejtuese e vjetër e universitetit, për qëllime të caktuara, që fatkeqësisht kanë gjetur mbështetjen nga institucionet më të larta të Shtetit Shqiptar.

Por sipas tij në Universitetin e Tiranës në asnjë rast nuk ka patur bllokim, sikurse mundohet ta paraqesë Kryeministri, në mënyrë që të justifikohen dhe të shtrembërohen arsyet e vërteta të protestës së studentëve.

“Ju po deklaroni sot, se duhet të shkarkohen anëtarët e Bordit të Administrimit, kurse unë, në mënyrë të vazhdueshme i kam kërkuar Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë të marrë masat e nevojshme për çfarë Ju keni konstatuar sot, si një dështim të funksionimit edhe të Bordit të Aministrimit të Universitetit të Tiranës. Bordi i Administrimit të Universitetit të Tiranës, nëpërmjet Administratorit të UT (aktivist në fushatat elektorale të Partisë tuaj), është përpjekur sistematikisht të pengojë zhvillimin normal të punës”, shprehet më tej.

Rektori deklaron se arsyeja që luftohet është pikërisht njohja shumë e mirë e ligjit të arsimit të lartë, dhe jo vetëm, është përgjegjshmëria e lartë dhe përkushtimi në punë që e karakterizon, dhe mosbërja palë në interesa të caktuara.

“Të nderuar kolegë dhe studentë të UT, Ju siguroj se në çdo ditë të punës time si Rektor i Universitetit të Tiranës, do të vazhdoj të udhëhiqem nga morali dhe integriteti i lartë personal dhe profesional dhe nuk do t’i gjunjëzohem askujt dhe për asnjë arsye, sikurse kam vepruar deri më sot. Nëse për Kryeministrin dhe qeverinë që ai drejton, protesta e studentëve është një shuplakë, për mua është një shprehje e lirisë dhe demokracisë, dhe si e tillë është një fitore”, thotë në mbyllje Mynyr Koni. /a.y/noa.al

Rama me rektorët, studentët: Lojë për të marrë vëmendjen, të plotësohen 8 kërkesat

Rama "shuplakë" dekanëve: Nuk është vetëm qeveria fajtore, do shikojmë autonominë