Transmetuar më 14-12-2018, 11:54

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, thotë se janë 80 milionë euro që do të shkojnë për rinovimin e konvikteve në Tiranë.

Deklarata e tij u bë teksa në ministri u firmosën tre marrëveshje të rëndësishme me shtetin gjerman.

Në fjalën e tij ministri tha se sektori energjitik ishte një nga betejat kryesore të mandatit të parë të qeverisë, për rikthimin e ligjshmërisë si dhe rregullimin e strukturës së çmimeve.

Sipas tij, është me rëndësi vazhdimi i reformave, pasi qeveria ka hyrë në hapin e dytë të zhvillimit të vendit.

“Përmes një plani strategjik, synohet një rrugë e qartë për reformimin e të gjithë strukturës së energjisë elektrike në Shqipëri. Së dyti, një nga marrëveshjet që firmoset në favor të përmirësimit të kushteve për studentët në universitete, investim 80 milionë euro që Shqipëria do bëjë me ndihmën e qeverisë gjermane për kampuset universitare. Është premtim që Rama e ka dhënë dhe do e mbajë brenda përfundimit të mandatit të dytë për rikonstruktimin e konvikteve të qytetit Studenti,” u shpreh Ahmetaj.

Tre marrëveshjet

-Memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunimin financiar mes Shqipërisë, Gjermanisë dhe Francës në lidhje me programin “Mbështetja e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri”

-Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunimin financiar 2016 për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I”.

-Marrëveshja ndërmjet qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim financiar 2017 për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës sipas parimit të efiçiencës energjitike, faza III”. /a.y/noa.al