Transmetuar më 13-12-2018, 18:21

Pas takimit të kryeministrit Edi Rama me rektorë dhe dekanë të universiteteve publike, studentët shprehen se kjo është një lojë e kryeministrit për të marrë vëmendjen dhe për t’ja hedhur fajin dikujt tjetër. Studentët kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave të tyre dhe nuk heqin dorë nga protestat.

“Shpërqendrim për tja hedhur fajin dikujt tjetër. Reagimin e tij duhet ta nisë nga plotësimi i 8 pikave. Ne duam zgjidhje të çështjes tonë dhe nuk duam tja dimë kush është heroi. Ne nuk heqim dorë deri në zgjidhjen e 8 pikave tona. Pushtetarët nuk kanë me kë të merren dhe bëjnë lojë për të tërhequr vëmendjen. Nuk duam dialog, por duam plotësimin e pikave”- shprehen studentët.

Kujtojmë se në ditën e nëntë të protestës, studentët Pasi qëndruan për disa orë para Kuvendit u stacionuan tek Kryeministria dhe vazhdojnë të qëndrojnë ende.

Më herët Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me dekanë dhe rektorë tha se bordi i administrimit të universiteteve duhet të shkarkohet nga detyra.

“Nuk po them që bordi i administrimit ka funksionuar mirë. Madje, bordi i administrimit për sa i përket qeverisë duhet të shkarkohet i gjithi. Dhe ata që janë përfaqësues të bordit të administrimit duhet të zëvendësohen me persona publik, me profile publike.

Kam parë specifikime kur dekani kërkon makinë 60 mijë euro. Jam i gatshëm të marr përgjegjësitë e mija dhe shuplakën ndaj qeverisë që ka dhënë kjo protestë. Hera e parë që një protestë mbahet gjallë duke refuzuar zgjidhjen”, u shpreh Rama./b.l/noa.al/.