Transmetuar më 13-12-2018, 14:40

Dalin detaje të reja lidhur me identitetin dhe të kaluarën e shqiptarit, i cili u ekzekutua me breshëri automatiku, mbrëmjen e kësaj të mërkure teksa pinte kafe në një lokal në Athinë.

Ai është 44-vjeçari nga Fieri, Lulzim Qorri, i cili gjeti vdekjen e menjëhershme si pasojë e dëmtimeve të marra.

Krimi i rëndë ndodhi në rrugën “Kritis”, mes shesheve “Karaiskaqi” dhe “Omonia”, teksa viktima ndodhej në lokal ku po shihej një ndeshje futbolli.

Qorri është baba i tre fëmijëve dhe ai kishte vetëm pak ditë që kishte mbërritur në Athinë.

Ai njihej edhe si biznesmen që merrej me rritjen e peshkut, teksa u qëllua nga dy persona që udhëtonin me motor dhe me kaska në kokë.

Ishin të shtënat e breshërisë së automatikut, ato që i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.

Nga të dhënat paraprake të policisë greke, dyshohet se ekzekutimi i 44-vjeçarit shqiptar është bërë për larje hesapesh, si pasojë e përplasjes mes bandave.

Kjo pasi Qorri rezulton me precedentë penalë, pasi në vitin 2016, u arrestua në Shqipëri, i dyshuar si pjesë e një grupi që merrej me trafik droge në Ballkan.

Operacioni i koduar “Ballkan” u shtri në Shqipëri, Maqedoni, Serbi, Turqi, Greqi, Itali dhe Bullgari, duke u arrestuar 30 persona dhe duke u shpallur në kërkim 23 të tjerë.

Hetimet u drejtuan mbi një grup të strukturuar kriminal me shtrirje në disa vende të rajonit, i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike heroinë, kokainë dhe marijuanë.

Gjatë hetimit rezultoi se furnizues me lëndë narkotike heroinë nga Turqia përmes ndërmjetësuesve turq dhe kosovarë, bënin dërgesa me lëndë narkotike nga Turqia për në Kosovë, Shqipëri dhe më pas Greqi apo vende të tjera të BE-së.

Po kështu, segmente të këtij grupi bënin dhe dërgesa me marijuanë nga Shqipëria për në Maqedoni, Greqi apo Turqi.

Pjesëtaret e këtij rrjeti dyshohet se kanë komunikuar dhe janë takuar si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë, Greqi duke u dakordësuar për ngarkesat e lëndës narkotike dhe rrugët e tyre. /a.y/noa.al

Ekzekutohet me armë zjarri shqiptari në Athinë, çfarë u mësua për viktimën

Operacioni “Ballkan”, ja biznesmenët dhe rolet e 14 të arrestuarve

Trafik ndërkombëtar droge, burg për biznesmenët e arrestuar nga “Ballkani”

Operacion antidrogë, “Ballkani" arreston ndërtues të njohur