Transmetuar më 13-12-2018, 14:22

Studentët janë larguar nga Parlamenti ku zhvilluan për orë me radhë protestën e tyre, teksa paralelisht zhvillohej seanca parlamentare.

Por me përfundimin e saj, studentët të bashkuar kanë marshuar para Kryeministrisë, me thirrje në kor “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Ndryshe nga një ditë më parë ku një pjesë e studentëve protestuan te ministria e Arsimit dhe një pjesë tjetër te Kryeministria, studentët kanë dalë me vendim të unifikuar, për të kërkuar të drejtat e tyre para institucionit të drejtuar nga Edi Rama.

Sakaq në fjalën e tij në Kuvend, Rama i ftoi të rinjtë për dialog, duke iu thënë se të teta kërkesat e tyre janë të realizueshme.

Në vijim me anë të një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shkroi “Miq! Kori i protestës kur s’të dëgjojnë është domosdoshmëri. Refuzimi në kor i dialogut është dobësi. Ju duhet ta dini që unë jam me ju. Jam gati për të 8 pikat. Duhet të diskutojmë si e kur do të realizohen. Nëse ju s’doni ta kuptoni këtë,vazhdoni mbajini peng të 8 pikat. Unë ju pres”.

Më tej ai tha se, “Mos jini pengesa e vetvetes dhe mos e mbysni protestën me duart tuaja! Kjo protestë duhet të mbetet fuqi e ndryshimit të universitetit, jo të katandiset në fuqinë bllokuese të dialogut për Universitetin”.

Po ashtu Rama tha se protesta është shuplakë për të hapur sytë më shumë për të parë se çfarë ndodh brenda universitetit.

Megjithatë të rinjtë në kor thirrën, “Edi Rama lëre mallin, eja na qaj hallin”.

Nga ana e tij Presidenti Ilir Meta, ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për buxhetin e vitit 2019, me synim gjetjen e zgjidhjes për kërkesat e studentëve protestues. /a.y/noa.al

Meta kthen në Kuvend buxhetin e vitit 2019: Të plotësohen kërkesat e studentëve

Rama, studentëve: Refuzimi në kor dobësi! Mos e mbysni protestën me duart tuaja

Nikolla: Studentët kanë të drejtë, askush s’do donte të ishte në vendin tim

Rama: Pse nuk dua që protesta e studentëve të mbyllet! Si do japim zgjidhje

“Studentët”, Rama: Protesta i dha shuplakë qeverisë, grusht opozitës! Zgjidhja vetëm dialogu