Transmetuar më 13-12-2018, 14:10

Kryeministri Edi Rama, reagon pas vendimit të Presidentit Ilir Meta, për të kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për buxhetin e vitit 2019, me synim gjetjen e zgjidhjes për kërkesat e studentëve protestues.

“Interesant! Presidenti kthen buxhetin e Shqipërisë pas prezantimit të kërkesave të LSI-së. Asnjë çudi! Vazhdon pa pushim e në çdo formë, presioni mbi studentët për të qëndruar në kor kundër dialogut. Miq! Dilni nga kurthi i atij kori dhe bëhuni individë që flasin në emër të vetes”, shkruan Rama.

Sakaq në argumentimin e kthimit të ligjit, kreu i shtetit shprehej se duke ndjekur me shumë vëmendje situatën politike më të fundit në vend, si dhe duke vlerësuar konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, të cilat janë konsideruar nga të gjithë aktorët politikë si, të drejta, legjitime dhe të realizueshme, duke synuar interesin më të mirë në përmbushjen e objektivave sociale të parashikuara në nenin 59 të Kushtetutës, si dhe në garantimin e stabilitetit në vend, me dekretin nr. 10997, datë 13.12.2018 ka vendosur “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”, me qëllim rishqyrtimin e tij.

“Presidenti i Republikës, ka besimin e plotë se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve dhe interesit publik”, thuhej në deklaratë.

Në këtë mënyrë i hapet rrugë mundësisë së amendimeve në ligjin për buxhetin e shtetit.

Kësisoj hapet mundësia për shtimin e buxhetit në sektorin e arsimit dhe plotësimi i kërkesave të studentëve. /a.y/noa.al

Meta kthen në Kuvend buxhetin e vitit 2019: Të plotësohen kërkesat e studentëve