Transmetuar më 12-12-2018, 17:28

Me vendim qeverie është vendosur sot që të rikonstruktohen konviktet e Universitetit të Tiranës.

Ky vendim vjen në një kohë kur studentët janë në protestë në ditën e tyre të tetë, ku një prej kërkesave është edhe përmirësimi i kushteve në godinat ku ata qëndrojnë.

Ndërhyrja parashikon një vlerë financiare prej 3 milion eurosh.

VENDIMI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 22, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (Marrësi) dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për programin e rehabilitimit të konvikteve të Universitetit të Tiranës sipas parimit të efiҫencës së energjisë, faza III, me një grant në shumën 2 927 765.96 (dy milionë e nëntëqind e njëzet e shtatë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e pesë pikë nëntëdhjetë e gjashtë) euro, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.