Transmetuar më 11-12-2018, 17:24

Në ditën e shtatë të prostës së tyre, para Ministrisë së Arsimit, studentët u shprehën të vendosur se nuk do të dialogojnë me kryeministrin Rama, por kërkuan prej këtij të fundit plotësimin e kërkesave të tyre.

Ora 16:00 shënoi përfundimin e ultimatumit të caktuar nga studentët për qeverinë. Pasi u mor vendimi i tyre me votë, një pjesë e studentëve kanë nisur nga masa e parë e përshkallëzimit, bllokimi i rrugëve, duke marshuar drejt Zogut të Zi.

Si në gjithë ditët e protestës edhe sot marshimi nisi nga të gjitha fakultetet, drejt rrugëve që të shpien për në Ministrinë e Arsimit, atje ku është protestuar prej një jave.

Ata e kanë nisur me këndimin e Himnit Kombëtar dhe më pas me parulla për plotësimin e kërkesave të tyre, kryesisht uljen e tarifave.

Më herët studentët i kishin parashtruar 8 kërkesat e tyre Ministrisë, por deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga qeveria.

Ndërkohë kryeministri Rama përmes një statusi në instagram i ftoi për të folur. “Gjithçka na duhet është të flasim – Parrulla e njërës prej protestave më madhështore të vitit 2018 në Europë…”- shkruante Rama në instagram./b.l/noa.al/