Transmetuar më 11-12-2018, 09:50

Ka nisur protesta masive e paralajmëruar nga studentët e universiteteve publike.

Krahas studentëve të Tiranës, atyre iu janë bashkuar edhe një pjesë e të rinjve të rretheve, ndërsa të tjerë kanë bojkotuar mësimin në fakultetet e tyre.

Nga Durrësi, Elbasani, Shkodra, Vlora, Korça dhe Gjirokastra, të rinjtë janë bërë bashkë për protestën e shumëparalajmëruar për ditën e sotme.

Protestës së sotme i janë bashkuar edhe nxënësit e disa gjimnazeve në Tiranë, të cilët kanë lënë mësimin ditën e sotme, për t’iu bashkuar protestës së studentëve të universiteteve publike, të cilët kanë paralajmëruar protestë masive ditën e sotme.

Nxënësit e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, “Sami Frashëri” dhe të Shkollës Profesionale të Ekonomikut dhe kryesisht maturantët, kanë bojkotuar mësimin për t’iu bashkuar studentëve.

Ata kanë dalë nga shkolla e tyre, në rrugë duke bllokuar qarkullimit.

Sakaq studentët kanë paralajmëruar se ora 16.00 e ditës së sotme do të jetë afati i fundit që qeveria t’iu përgjigjet kërkesave të tyre.

Më tej ata kanë paralajmëruar përshkallëzimin e saj, madje edhe grevë urie, në rast se kërkesat nuk marrin zgjidhje.

Kërkesat e studentëve

1-Rritja e buxhetit me 5% e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve. /a.y/noa.al

Gjimnazistët lënë mësimin, iu bashkohen studentëve në protestë

Protesta në Tiranë, studentët ulen në rrugë te “21 Dhjetori”