Transmetuar më 10-12-2018, 14:13

Studentët janë të prerë dhe të vendosur për të refuzuar dialogun me Kryeministrin Edi Rama lidhur me kërkesat e tyre.

Ata thonë se kërkesat janë minimale dhe se janë publikuar prej ditësh dhe se dialogu është i pavend.

Me pankarta të shtuara në duar, të rinjtë thonë se nuk do të ndalen.

“Studentët e bashkuar, kanë për të fituar”!, thërritën në kor.

Po ashtu të studentët paralajmërojnë protestë masive gjatë së martës, ku dhe siç kanë lajmëruar më herët thonë se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, mund të hyjnë në grevë urie.

“Do dalim në rrugë me qindra e mijëra, po s’u hoq tarifa rrëzohet ministria”, kanë thirrur të rinjtë.

Po ashtu ata kanë thënë se nuk do të ketë përfaqësi për dialog me qeverinë, dhe se zgjidhja e vetme është plotësimi i kërkesave.

Madje studentët kanë dalë me një deklaratë lidhur me reagimin e Kryeministrit ku thonë se përmes gënjeshtrave, çerek të vërtetave dhe të dhënave jashtë kontekstit, Edi Rama tentoi sërish të shmangë përgjegjësinë e qeverisë së tij për shkatërrimin e arsimit të lartë në Shqipëri.

Më tej thuhet se problemet në arsimin e lartë nuk kanë filluar me qeverisjen e tij, por përmes ligjit të arsimit të lartë të miratuar nga ai ato kanë marrë natyrë sistemike.

“Ligji i arsimit të lartë mbështetet në parimin klientelist të trajtimit të barabartë financiar të universiteteve publike dhe private (formalisht dhe përmbajtësisht). Bordet e Administrimit të universiteteve publike kontrollohen nga qeveria sipas parimit “kush jep paratë, kontrollon universitetin”. Çka do të thotë se e vetmja mënyrë që universitarët të kontrollojnë bordet është rritja e tarifave në mënyrë të tillë që shuma e nxjerrë nga xhepat e studentëve ta tejkalojë buxhetin e shtetit për universitetet”, thuhet në deklaratë.

Më tej nënvizohet se Rama prodhon tym duke deklaruar se tarifat i vendos universiteti dhe se sipas ligjit të tij, universiteti i propozon tarifat në varësi të tavanit të tarifës maksimale dhe nivelit të financimi nga buxheti i shtetit, kompetenca këto të qeverisë. Sipas të rinjve, nëse burokratët i bëjnë rrush e kumbulla paratë e popullit, në krye të universiteteve i ka vendosur qeveria, jo universitarët.

Në vijim thuhet se për tarifën e studimit kryeministri është aq kontradiktor, saqë nuk mund t’i zësh besë asnjë fjale të tij.

“Një moment flet për lehtësinë e uljes së tarifave, pastaj bën llogari ditore se tarifa kushton në ditë sa një kafe (pse t’i ulim atëherë?!) dhe në fund bën diversion me propozimin e tarifave progresive. Zgjidhja për tarifat është e thjeshtë: ARSIM PUBLIK FALAS për të gjithë studentët e universiteteve publike, të cilët hyjnë në universitet sipas meritës. Për studentët e varfër dhe ata me rezultate të shkëlqyera duhet të ketë bursë jetese. Sot parimin e arsimit publik falas në të gjitha nivelet e zbatojnë plot 17 vende evropiane, nga më të përparuarat te më modestet ekonomikisht”, deklarohet ndër të tjera.

Në qëndrimin e studentëve thuhet se Rama bën sikur nuk kupton se kërkesat e studentëve për tarifat nuk ka pse t’i paguajë medoemos kamerieri apo mësuesi dhe se mjaftojnë dy masa: Të mos vidhet nga qeveritarët dhe të shtrëngohen oligarkët të paguajnë më shumë taksa.

Ndër të tjera deklarohet se vendi ynë nuk ka pse zgjedh midis studentit dhe kamerierit, por duhet të zgjedhë studentin dhe kamerierin bashkë në vend të oligarkëve, ashtu siç populli ynë nuk ka pse të zgjedhë midis investimeve në infrastrukturë dhe studentëve.

“Nëse nuk zbatohen praktikat korruptive të PPP apo koncesioneve, ka vend edhe për rrugë e spitale, edhe për shkolla. E nëse nuk i bëjmë dot shpejt si të Danimarkës, mund t’i përmirësojmë dukshëm. Kërkesave të studentëve për tarifat kryeministri u përgjigjet si kërkesë për bukë. Ndoshta studentët ia dalin me sakrifica, por nuk mund të mbahet trupi me bukë, djathë, vezë e byrekë çdo ditë. Buka që ata brohorasin është simboli i jetës së dinjitetshme. Përtej kësaj, investimi në arsim nuk është prodhim buke, por kultivim i mendjeve krijuese, kritike dhe prodhuese”, deklarohet më tej.

Në vijim thuhet se që gjithçka e mësipërme të ndodhë duhet që studentët të marrin fuqinë që u takon brenda universitetit dhe se Kryeministri që i fton studentët të bashkëhartojnë ligje e paska problem që ata të bashkëqeverisin, me pedagogët, universitetet.

“Vërtetë studenti si individ është më i përkohshëm se pedagogët në universitet, por studentët si trupë janë shumë herë më të shumtë se pedagogët. Po ashtu, nisur nga bajraktarizmi i frikshëm i jetës universitare publike, e vetmja mundësi përmirësimi i jetës universitare mbetet te masa e madhe dhe e pakompromentueshme studentore. Prandaj kërkohet votë e barabartë midis pedagogëve dhe studentëve për zgjedhjen e të gjitha strukturave universitare”, deklarohet ndër të tjera.

Ndër të tjera thuhet se studentët nuk kanë nisur sot të belbëzojnë dhe se kanë vite që flasin dhe protestojnë, nën presionin e burokratëve dhe pedagogëve të padenjë.

“Ne, si aktivistë të Lëvizjes Për Universitetin, kemi katër vjet që demantojmë ligjin e arsimit të lartë, kemi organizuar dhjetëra protesta ku sa e sa studentë kanë artikuluar problemet e tyre. Kemi denoncuar pedagogët që shesin librat me detyrim dhe marrin ryshfet, kemi publikuar raste plagjiature etj. Asokohe, qeveria mbyllte të sytë dhe veshët. Sot, kur mijëra e mijëra studentë, si thuajse asnjëherë më parë, ju kanë vënë me shpatulla për muri po dëgjoni brohoritjet e tyre. Dhe do t’i dëgjoni gjatë”, deklarohet në mbyllje.

Kërkesat e studentëve

1- Përgjysmim i tarifës së studimit

2- Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rekrut dhe pritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.

3- Mbështetur në nenin 99, mbi Këshillat Studentore, Ligji i Arsimit të Lartë, pika 2 kërkon që bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-ve dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët

4- Mbështetje e studentëve për kërkim shkencor

5- Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor

6- Përmirësimi i kushteve të konvikteve të universiteteve

7- Dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë

8- Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e studentit brenda vitit akademik 2018-2019. /a.y/noa.al

Tarifa për provimet e mbartura, Rama dekanëve dhe rektorëve: Nuk ua kishim borxh

Rama, studentëve: Luli dhe Mona presin që ju të bëni vezën e kuqe për ta! Si do i ulim tarifat

Protesta e studentëve, Rama: Aty rrini po s’doni dialog! Refuzimi si i Bashës kur u fut në çadër