Transmetuar më 09-12-2018, 18:51

Pas refuzimit që mori nga studentët protestues, kryeministri Edi Rama insiston për një takim me ta.

Këtë herë, në një reagim në Tëitter, Rama shprehet se nuk po kërkon negociata me ta por dialog.

"Negociata? Kush po kërkon negociata se, unë kërkoj dialog, jo negociata. Frikën nga dialogu e kam parë tek politikanët që sot presin t’i nxjerrin gështenjat nga zjarri duke mos treguar duart. Mos vallë kush po i pengon studentët me megafon kundër dialogut bën telefonin e prishur?"

Rama u ka lënë takim live nesër në 11 në Facebook, por studentët sapo u njohën me ftesën e refuzuan njëzëri duke paralajmëruar për tubim madhështor të martën.

Studentët zhvilluan sot protestën e tyre në ditën e pestë, ku ndonëse e diel u mblodhën sërish para ministrisë së Arsimit, me thirrje për ulje tarifash.

Ata u shprehen të vendosur për të vijuar protestën, deri në momentin që të marrin zgjidhje kërkesat e tyre.

Duke u shprehur të vendosur për të qenë të bashkuar dhe pa ndikime politike, ata këmbëngulin në zgjidhje./a.k/noa.al/