Banorët te “Unaza e Re, në Tiranë, kanë mbajtur protestën e tyre të radhës.
Banorët kanë protestuar pasditen e sotme kundër prishjes së banesave të tyre, në ditën e tyre të 36-të.
Banorët kërkojnë që banesat e tyre mos prishen, ose të dëmshpërblehen në masën 100%.
Duke folur përpara mediave, banorët thanë se qeveria “Rama” është hajdute.
Ata thirrën njëzëri: “Projekt hajdutësh, qeveri hajdute”.
Thirrjet e banorëve janë drejtuar për te kryeministri Rama dhe kanë kërkuar largimin e tij me çdo kusht. Banorët iu kanë bërë thirrje edhe firmave që të kenë kujdes.
“Po afruat tek ne makineritë, kujdes. Do i djegim makineritë me benzinë. Të kini kujdes”, kanë thënë banorët.
Protestuesit te “Unaza e Re” thanë se kanë ndjekur edhe protestën e studentëve dhe se mbështesin plotësisht kërkesat që ata kanë.
“Studentët janë shpirti ynë. Ata janë e ardhmja. Rama është zemërlig dhe do i ngelë në shtator vetëm pse ata kanë protestuar. Do i ngelë me veglat e tij të pushtetit, por studentët do revoltohen më keq deri në rrëzimin e qeverisë. Nuk mund t’iu dalësh kundër studentëve, se ata kanë fuqi kaq të madhe sa të rrëzojnë”, thanë banorët.