Një ngjarje e rëndë, ka ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme në Vlorë, ku një person ka kërcënuar se do i jepte fund jetës me benzinë, duke terrorizuar dy fëmijët e tij.
Gjithçka ka ndodhur në lagjen “Isa Boletini”, ku 40-vjeçari Zguri Veshi ka kërcënuar se do i jepte fund jetës, duke u lyer me benzinë.
Pranë tij kanë qenë edhe dy fëmijët e mitur më të vegjël se 5 vjeç, të cilët janë gjetur të terrorizuar nga policia, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes, e sinjalizuar nga banorët e zonës dhe vëllai i të dyshuarit.
Burime nga policia i thanë Noa.al, se 40-vjeçari u neutralizua pa shkaktuar asnjë dëm, ashtu sikundër fëmijët janë shëndoshë e mirë.
Po ashtu rezulton se 40-vjeçari është person me probleme mendore, i cili është shoqëruar në polici, ku po trajtohet nga mjekët.
Lidhur me këtë rast, hetimet janë në vijim, për të zbuluar më shumë mbi gjithë sa ka ndodhur. /a.y/noa.al