Transmetuar më 09-12-2018, 10:13

Studentët vijojnë për të disatën ditë me radhë protestën e tyre, duke kërkuar ulje tarifash dhe përmirësim të kushteve.

Ata janë nisur në marshim-protestë nga fakultetet e tyre për të kulmuar para ministrisë së Arsimit.

Me thirrjet "Me dorëheqje, pa dorëheqje, kërkesat toa vazhdojnë", "Shkolla është e jona, jo biznes privat, Lindita Nikolla dil në bulevard", ata kanë vijuar thirrjet në kor.

Por deri më tani ata kanë përjashtuar çdo negociatë, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të bëra publike prej ditësh.

Po ashtu ata nuk kanë pranuar asnjë përfaqësues të partive politike, duke thënë se kauza është vetëm e tyre.

Kërkesat e studentëve

-Përgjysmim i tarifës së studimit.

-Rritja nga 10 në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.

-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat Studentore, Ligji i Arsimit të Lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-të dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

-Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore.

-Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor.

-Përmirësim i kushteve të konvikteve të Universiteteve.

-Dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë. /a.y/noa.al