Transmetuar më 09-12-2018, 08:40

I dënuari i cili gjeti vdekjen këtë të shtunë, pas problemeve shëndetësore që shfaqi në burgun e Peqinit, ishte dënuar me 23 vite burg.

Viktima Ilmi Hoxha, 54 vjeç, ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar për kryerjen e marrëdhënieve seksuale, me vajzën 12 vjeçe të bashkëjetueses së tij, Selvie Yzeiraj.

Ngjarja e zbuluar në shtator të vitit 2016, bëri bujë në media dhe ca më tepër prej rrethanave rënduese.

Kjo pasi hetimet zbuluan se shpesh abuzimet seksuale ndodhnin në sy të Selvies, e cila u shpall gjithashtu fajtore dhe u dënua me 18 vite burg.

Abuzimet e rënda u zbuluan kur e mitura vetëm 12 vjeçe, teksa ndodhej tek daja i saj, i tregoi gjithë çfarë ndodhte në shtëpinë ku jetonte me nënën dhe bashkëjetuesin e saj.

Kjo çoi në denoncimin në polici dhe arrestimin e Ilmiut dhe Selvies.

Në një intervistë të dhënë në media në kohën që u zbulua ngjarja, e mitura tregoi se se nëna shkonte edhe me meshkuj të tjerë, pasi bashkëjetuesi i saj i thoshte se kështu kishin rënë dakord.

Jo vetëm kaq, por 12- vjeçarja deklaroi se nuk do e falte kurrë të ëmën e cila ndodhet në qeli, duke thënë Selvia dinte çdo gjë.

Gëzim Yzeiraj, i ati i vajzës, ka qenë i pari që ka denoncuar dhunën seksuale ndaj të bijës, vite më parë. Sipas tij, askush nuk e besoi në polici, por përkundrazi, e akuzuan për kallëzim të rremë.

Por Hoxha, teksa ndodhej në qeli ku vuante dënimin, ka shfaqur probleme të rënda shëndetësore, duke u dërguar në urgjencën e spitalit të Elbasanit, ku dhe gjeti vdekjen.

Lidhur me këtë rast hetimet janë në vijim, teksa paraprakisht dyshohet vdekje për shkaqe natyrale. /a.y/noa.al