Transmetuar më 08-12-2018, 09:32

Ronela Hajati është një prej pjesëmarrëseve të edicionit të 20-të të “Këngës Magjike”, ku konkurron me këngën “Vuj”. Ronela ka vendosur të hapë zemrën vetëm pak orë para finales së festivalit.

Ajo është shprehur me anë të një postimi në Instastory ku tregon se nuk ka konkurruar asnjëherë diku me qëllimin për të fituar dhe se ajo tashmë ka fituar zemrën e fansave të saj, që është e pakrahasueshme me çdolloj kupe.

“Këtë dhjetor janë bërë 20 vite që unë këndoj. Paraqitja ime e parë ka qenë në një festival fëmijësh e që atëherë, që sapo isha futur në shkollë, mbaj mend që mezi prisja të ndizeshin dritat dhe kamerat. Jam rritur në skenë dhe synimi im i vetëm ka qenë të bëj publikun për vete.

Kurrë nuk kam konkurruar diku me qëllimin për të fituar, çuditërisht. E sot pas 5 vitesh jam rikthyer në një skenë ku këngët e mia u bënë një bazë për karrierën time. Unë ju kam fituar ju, siç e kam ndjerë çdo herë.

Kjo është e pakrahasueshme me çdolloj kupe. Ju dua me zemër që keni qenë e vetmja gjë ku jam kapur edhe në momentet më të vështira dhe atëherë kur kam dashur të heq dorë. Faleminderit, përgjithmonë”, -ka shkruar Ronela.