Transmetuar më 07-12-2018, 19:22

Denoncimi i falsifikimit të dokumentacionit nga kompania që fitoi të drejtën për të ndërtuar në segmentin e unazës së Madhe të Tiranës, ka detyruar autoritetet shqiptare dhe ato amerikane të drejtësisë që të nisin hetime paralele.

Prokuroria e Tiranës konfirmoi sot se po kryen veprimet hetimore në lidhje me faktet e bëra publike mbi rregullshmërinë e veprimeve të kryera për ndërtimet e planifikuara në Unazën e Re.

Verifikimi bëhet për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, falsifikimi i dokumenteve, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal, shkelje e barazisë në tenderë, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Prokuroria thotë se garanton vlerësimin me objektivitet të fakteve, objekt i këtij hetimi duke kryer veprimet hetimore brenda një afati të arsyeshëm.

Sakaq dhe në SHBA ka nisur hetimi, pasi Shqipëria po ndeshet me një skandal të ri korrupsioni. Kompania shqiptare funksionon si degë e një kompanie të regjistruar në shtetin Delaware në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zyra e Sekretarit të Shtetit në Delaware konfirmoi sot se ka filluar hetimet për të përcaktuar në se kompania Dunwell Haberman, ose ndonjë prej zyrtarëve të saj, është përfshirë në aktivitete të paligjshme, mashtrime ose falsifikime.

Firma Dunwell Haberman vepron në Shqipëri përmes filialit të saj vendas “DH Albania”, e cila ka fituar një tender prej rreth 20 milionë dollarësh për një prej segmenteve të unazës së madhe në Tiranë.

Firma dyshohet se ka kryer dy falsifikime për të siguruar kontratën në Shqipëri. Ka falsifikuar datën e krijimit; në Dalaweare kompania figuron e regjistruar para 6 muajsh, në 25 qershor 2018, ndërsa në Shqipëri ka depozituar dokumente, sikur ekziston që nga qershori i 1998.

Dokumenti i dytë, që dyshohet të jetë falsifikuar, është një certifikatë e Sekretarit të Shtetit se kjo firmë nuk i ka detyrime fiskale shtetit. Zëdhënësi i Sekretarit të Shtetit Doug Denison, i tha Zërit të Amerikës, se për certifikatën nuk ka patur asnjë kërkesë nga firma dhe as nuk është lëshuar ndonjë dokument.

Dokumentet e falsifikuara dolën për herë të parë në Shqipëri mbrëmë në TV News 24.

Sipas zëdhënësit, çështja pritet t’i kalojë për hetime penale zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në Daleware, që drejtohet nga Matt Denn. Nëse autoritetet gjejnë shkelje, firmës mund t’i anulohet regjistrimi si biznes në këtë shtet dhe ndaj saj mund të ngrihen akuza kriminale. Meqë kompania ka aktivitet në një vend tjetër, jashtë Shteteve të Bashkuara, rasti mund t’i referohet për ndjekje edhe Departamentit të Drejtësisë në Uashington.

Shteti Delaware, njihet si një prej shteteve që ka ligje tepër favorizuese ndaj korporatave. Mijëra kompani amerikane janë të regjistruara në këtë shtetet, për të përfituar nga taksat. Dalaware njihet edhe si “parajsë fiskale” pasi nuk mbledh taksa nga korporatat që, ndonëse të regjistruara aty, nuk ushtrojnë aktivitet në këtë shtet.

Në bazë të ligjeve të shtetit, korporatat e regjistruara aty, nuk janë të detyruara të publikojnë emrin e drejtuesit të kompanisë ose të aksionerëve të saj. Në Delaware, regjistrimi i kompanisë mund të bëhet edhe pa qenë fizikisht i pranishëm dhe ka firma të tjera që e kryejnë këtë funksion për klientin. Në bazë të dokumenteve të regjistruara në këtë shtet, firma Dunwell Haberman është regjistruar përmes firmës “Apex Resident Agent Services”.

Unaza e Re, pezullohet aktiviteti i kompanisë amerikane

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njoftoi sot se ka vendosur të pezullojë aktivitetin ndërtimor të kompanive Biba X dhe DH Albania, për ndërtimin e një pjesë të Unazës së Re, pas publikimit mbrëmë të fakteve që hedhin hije të rënda dyshimi mbi falsifikimin e dokumenteve të kompanisë amerikane Dunwell Haberman, e cila fitoi garën përmes degës së saj në Shqipëri, DH Albania.

Sipas dokumenteve të publikuara në “News 24”, referuar Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania amerikane rezulton të jetë themeluar në shtetin Delawere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në qershor të vitit 1998. Për këtë ajo ka depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shqipëri, një letër nga Sekretari i Shtetit të Delaware, Jeffrey Bullock, që vërteton aktivitetin e saj në këtë shtet dhe po ashtu dhe datën e themelimit 20 vjet më parë.

Emisioni “Të Paekspozuarit” i është drejtuar Departamentit të Shtetit të Delaware për të verifikuar të dhënat mbi kompaninë Dunwell Haberman. Përgjigja zyrtare e dhënë nga drejtori i Marrëdhënieve me Komunitetin Doug Denison ka zbuluar se dokumenti i paraqitur pranë institucioneve shqiptare është i falsifikuar.

“Dokumentet që ju na keni dërguar nuk janë autentike dhe nuk e kanë origjinën nga zyra e Sekretarit të Shtetit të Delaware. Vërtetimet për gjendjen e kompanive të cilat Departamenti i Korporatave lëshon, nuk kanë përmbajtje të njëjtë me dokumentet të cilat na keni dërguar. Gjithashtu, dokumentat që ju na keni paraqitur, theksojnë se Dunwell Haberman LLC, është krijuar në 25 Qershor 1998. Të dhënat e Departamentit të Korporatave, tregojnë se ky entitet është krijuar në 25 Qershor 2018, sipas të dhënave publike, bashkëngjitur kësaj letre. Datat dhe numrat e verifikimit, gjithashtu janë ndryshuar në disa vende në dokumentat që ju keni dërguar”, shkruhet në përgjigjen që Departamenti i Shtetit të Delaware, i ka dhënë emisionit “Të Paekspozuarit”

Drejtuesi i emisionit, Ylli Rakipi tregoi se i ka dërguar Departamentit të Shtetit të Delaware, dhe aktin e themelimit të kompanisë, dorëzuar në QKB-në shqiptare, ku sërish pretendohet se data e themelimit të kompanisë është 25 Qershor 1998.

“Përgjigja e zyrtarëve të Departamentit të Shtetit të Delaware, qe e njëjtë. Edhe ky dokument ishte falsifikuar”, u shpreh zoti Rakipi, duke publikuar dhe çertifikatën origjinale të themelimit të Dunwell Haberman, “ku duket qartë se data e themelimit është pikërisht 25 Qershor 2018”. Për më tepër, kompania rezulton të ketë dorëzuar pranë QKB-ës dhe bilance e pasqyra financiare fallso, të viteve 2015, 2016 dhe 2017, ndërkohë që është themeluar në Qershor të vitit 2018.

Në garën për Lotin I të projektit të Unazës së Re, dega shqiptare e kompanisë amerikane, DH Albania, është regjistruar në Shqipëri në muajin korrik të këtij viti, pak përpara se të hapej tenderi, me përfaqësues të saj një 26 vjeçar shqiptar, Avdiol Dobi. Së bashku me kompaninë shqiptare Biba X, u shpall fituese ndërsa konkurrenti i tyre, kompania Vëllezërit Hysa, vetëm sa ishte regjistruar në garë dhe nuk kishte paraqitur asnjë dokument. DH Albania dhe Biba X (kjo e fundit rezulton të ketë vetëm 7 përqind në këtë konsorcium) fituan me një ofertë që përfaqëson gati 45 përqind të të gjithë investimit, ose pak më shumë se 18 milion euro (pa TVSH).

Autoriteti Rrugor Shqiptar, në njoftimin e tij, shpjegon se “ka nënshkruar kontratën me bashkimin e përkohshëm të operatorëve ekonomik “Biba X shpk” dhe “DH Albania shpk- degë e shoqërisë së huaj”, pasi ka konstatuar që dokumentet janë në përputhje me kriteret e dhëna në dokumentet e tenderit.

Operatori ekonomik “DH Albania shpk- degë e shoqërisë së huaj”, pjesë e këtij bashkimi, ka paraqitur dokumentacionin të përkthyer dhe të noterizuar në gjuhën shqipe, ku kompania mëmë “Dunwell Haberman” rezulton e regjistruar dhe ushtron aktivitetin në një prej shteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, konkretisht në shtetin Delaware”.

Sipas njoftimit “Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ka patur ndonjë indicie që vë në dyshim vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura e cila do mund të çonte në një procedurë verifikimi paraprak”. Megjithatë, për të sqaruar situatën, ARRSH shprehet se i është “drejtuar institucioneve që përmes komunikimit me rrugë zyrtare t’u kërkohet autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të verifikuar dokumentet e paraqitura në institucionet shqiptare nga kompania në procedurën e garës” e për pasojë deri në pritje të përgjigjes “nuk do të vijohet me aktivitetin ndërtimor të kësaj kompanie”.

Autoriteti Rrugor shton se “në rast se autoritetet amerikane do të konfirmojnë zyrtarisht pretendimet për falsifikime dokumentacioni nga kjo kompani, në zbatim të përcaktimeve ligjore, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme dhe do ndjekë procedurat e tjera të përcaktuara në ligj. Në rast të zgjidhjes së kontratës, ARRSH do të rifillojë menjëherë procedurat e prokurimit për këtë lot për të mundësuar përfundimin në kohë të këtij projekti të rëndësishëm për kryeqytetin”.