Transmetuar më 07-12-2018, 18:04

Paralelisht me atë në Unazën e Re, protesta po zhvillohen edhe në Shkozë, ku banorët kanë bllokuar rrugën.

Ata janë kundër prishjes së banesave të tyre, siç e parashikon projekti për ndërtimin e Unazës së Madhe. Banorët kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve si dhe i kanë vënë flakën kazanëve të plehrave.

Ata shprehen se nuk duan problem me policinë, por kërkojnë të mbrojnë shtëpitë e tyre.

“Duam shtëpitë tona. Nuk duam probleme me policinë. Duam dëmshpërblim. Nëse ne nuk na do si shqiptarë të na plotësojë letrat për azil jashtë shtetit, se ja lirojmë gjithë shtetin të rrijë vetë Rama këtu. Nuk kam çështje politike unë, po na shembi shtëptë s’kemi gjë tjetër. Nuk kemi ku shkojmë më. Po kalojmë në depresion”, tha një prej banorëve për Neës24.

Më herët u protestua edhe në zonën e Astirit kundër prishjes së banesave. Kujtojmë se kjo është dita e 34-t e qëndresës së banorëve kundër vendimit të qeverisë.

Më herët kryedemokrati, Lulzim Basha, i pranishëm në mbështetje të tyre, tha se në këtë tender korruptiv janë përfshirë të gjithë institucionet e shtetit.

“E vërteta triumfoi, vjedhje dhe pastrim parash ku janë përfshirë të gjithë institucionet e shtetit, prokurimet publike, ARRSH, Ministria e Transportit, bashkia e Tiranës, Policia Ndërtimore. Të gjithë këta bashkë i lidh Edi Rama.

Do jemi në krah të këtyre njerëzve derisa të garantojmë të drejtat e  tyre, shtëpitë e tyre, anulimin dhe hetimin e plotë të këtij tenderi korruptiv dhe vënien para ligjit të gjithë personave përgjegjës nga kryeministri deri tek nëpunësi më i thjeshtë dhe çdo person tjetër i përfshirë në këtë aferë të tmerrshme”, tha Basha./b.l/noa.al/.